image “Vullkani” Haki Abazi shpërtheu sot paradite, por zhurma e tij nuk u dëgjua nga Mimoza Kusari-Lila

Politikë

“Vullkani” Haki Abazi shpërtheu sot paradite, por zhurma e tij nuk u dëgjua nga Mimoza Kusari-Lila

news image

Mimoza Kusari-Lila, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, nuk ka reaguar karshi sharjeve dhe kritikave që i mori sot nga kolegu i saj, Haki Abazi.

Ky i fundit e thirri sot një konferencë për media dhe tha se Mimoza Kusari-Lilën s’e meriton atë post.

“Një deputet të udhëheqë një grup parlamentar kaq të madh, është problematike sepse dinamikat brenda Lëvizjes e bëjnë poashtu komplekse përfaqësimin e grupit parlamentar”, tha Abazi për Kusari-Lilën.

Ai tha se brenda Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit ka njerëz që punën e Kusari-Lilës do ta bënin më mirë.

“Unë mendoj se ka njerëz që janë brenda grupit parlamentar që kanë edhe aftësi më të mëdha edhe durim më të madh edhe kapacitet për ta udhëhequr grupin parlamentar drejtpërsëdrejti”, tha tutje ai para mediave.

Sikur Mimoza Kusari-Lila nuk ka vepruar ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. Ajo i është kundërpërgjigjur deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazit i cili sot gjatë ditës i drejtoi disa kritika nga ajo.

“Nuk e komentoj kolegun tim, Hakiu ka të drejtë të shprehet…Kam takuar Hakiun dhe i kam thënë a mos është moment i mirë të takohemi në komision sepse kam nevojë t’i ndajë zhvillimet e fundit. Edhe tani do ta kisha kërkuar këtë gjë, por të martën është vizita në Austri, pastaj në Gjermani, janë momente që nuk duhet t’i lëmë të ikin”, tha ajo për RTK, shkruan Gazeta Insajderi.

Gërvalla tutje shtoi se disa komente pozitive të deputetëve ndonjëherë e zemërojnë, ndërkaq në rastin e Haki Abazit, do të duhej të dërgonte sinjale.

“Deputeti Haki Abazi është ndër deputetët aktivë, ndër deputetët që politikës së jashtme i japin një ngjyrë shumë të veçantë. Ka deputetë që më zemërojnë me shprehjen më pozitive për mua, ndërkaq në rastin e Hakiut, ndoshta do të duhet të kisha dërguar më shumë sinjale”, tha kryediplomatja.

Sot paradite, deputeti që drejton komisionin parlamentar për Politikë të Jashtme, ka folur për raportet e tij me ministren e Jashtme, Donika Gërvalla.

Ai tha se më shpesh mund ta shohin gazetarët Gërvallës se sa ai. Këtu ai thumboi Gërvallën për mungesë transparence në Komisionin që mbikëqyr politikën e jashtme.

“Ju mund ta shihni ministren e Jashtme, më shpesh se unë që jam kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme”, tha Abazi në konferencën për media, shkruan Gazeta Insajderi.

Ndryshe, Më shumë se një vit e gjysmë kanë kaluar që kur janë mbajtur zgjedhjet e fundit nacionale. Vetëvendosja fitoi më shumë se gjysmën e votave, por vend brenda ekzekutivit nuk i gjeti fare Haki Abazit, ndonëse në qeverisjen e kaluar ishte zëvendëskryeministër.

Përveç qeverisë, Abazi nuk mori post të rëndësishëm as në Kuvend. Me Rexhep Selimin në Hagë, Vetëvendosje zgjodhi që shef të Grupit Parlamentar ta bëjë dikë që s’është fare në VV – Mimoza Kusari-Lilën.

/GazetaSinjali/