Ministri serb i mbrojtjes Aleksandar Vulin ka deklaruar se Serbia është vend i lirë dhe se askush nuk guxon të përzihet se nga kush duhet të blejë armatim.
“Serbia është vend i lirë dhe askush nuk guxon të përzihet se si ajo e pajisë ushtrinë e saj”, ka thënë Vulin.
Vulin ka theksuar se Serbia është e obliguar të sigurojë armatim në mënyrë që të mbrojë shtetin dhe qytetarët që jetojnë në të.
“Si vend ushtarakisht neutral, Serbia është e obliguar të jetë e gatshme dhe e aftë ta mbrojë veten dhe të gjithë serbët kudo që jetojnë. Nuk ka asnjë arsye që ndaj Serbisë të zbatohen çfarëdo sanksionesh dhe jam i bindur se këtë nuk e kishte bërë asnjë vend i cili e respekton të drejtën e Serbisë që vet të vendosë për armatosjen e saj”, ka pretenduar Vullin.
Siç pretendohet në kumtesën e ministrisë serbe të mbrojtjes, Vulin ka shtuar se Serbia “Nuk është koloni dhe se vet do të vendosë se nga cilat vende mike do të blejë armatim”.
Ambasada e SHBA në Serbi dje ka përsëritur se është e brengosur që Serbia po pajiset me armatim nga Rusia dhe i ka bërë thirrje Beogradit të heqë dorë nga transaksionet me Moskën përndryshe pasojnë sanksionet e SHBA ndaj Serbisë./ Gazeta Sinjali/