Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Lammy, pas vizitës së tij në Kosovë, ka udhëtuar drejt Serbisë, ku është pritur nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Gjatë takimit, Vuçiq ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të dialogut me Kosovën, pavarësisht qëndrimeve të kundërta mes dy palëve.
Ai ka deklaruar se Serbia nuk dëshiron konflikt në rajon dhe mbetet e përkushtuar për zgjidhjen e çështjeve përmes bisedimeve.
“Pavarësisht dallimeve tona në lidhje me çështjen e Kosovës, ne besojmë se dialogu është çelësi i zgjidhjes dhe se problemet duhet të zgjidhen përmes bisedimeve. Diskutuam gjithashtu për çështjet rajonale dhe situatën në Bosnje e Hercegovinë. Serbia gjithmonë do ta respektojë Marrëveshjen e Dejtonit. Ne nuk duam asnjë konflikt. Serbia dëshiron një rritje të shpejtë ekonomike dhe kjo është gjëja më e rëndësishme për ne,” tha Vuçiq, sipas “Euronews Serbia”, transmeton Gazeta Sinjali.
Presidenti serb nënvizoi gjithashtu se marrëdhëniet mes Serbisë dhe Mbretërisë së Bashkuar kanë shënuar progres, veçanërisht në fushën ekonomike dhe infrastrukturale.
Nga ana tjetër, gjatë vizitës në Kosovë, Lammy theksoi rëndësinë e angazhimit të qeverisë së re të Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë, duke ripërsëritur mbështetjen e Britanisë për stabilitetin dhe paqen në rajon.