image Vuçiq: Ukraina do të humbë gjithçka brenda ditës, nëse e njeh Kosovën

Politikë

Vuçiq: Ukraina do të humbë gjithçka brenda ditës, nëse e njeh Kosovën

news image

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Ukraina “do të humbë brenda ditës gjithçka që ka në dorë”, nëse e njeh pavarësinë e Kosovës.

Ai pretendon se Ukraina do ta humbte plotësisht besueshmërinë e vet politike brenda ditës.

“Pas kësaj, si mund të thotë Ukraina se i përmbahet ligjit ndërkombëtar? Jam i bindur se [presidenti i Ukrainës Volodymyr] Zelensky nuk do ta hedhë këtë atu”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se Ukraina është një shtet mike e Serbisë, dhe se nuk ka telashe në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Vuçiqi i bëri këto komente gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq, në Beograd, ku iu përgjigjën pyetjeve rreth një letre të deputetëve nga vendet e Bashkimit Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara, të cilët kërkuan masa më të rrepta ndaj Serbisë.

Më 7 gusht, dhjetëra politikanë nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara ia dërguan një letër zyrtarët të lartë të BE-së dhe Uashingtonit, duke iu kërkuar ta ndryshonin qasjen ndaj Kosovës dhe Serbisë.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Beogradi dhe Prishtina janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve.

Vuçiq tha se letra e deputetëve evropianë dhe amerikanë “nuk është kundër meje, por kundër Serbisë.”

“Unë jam krenar që Alicia Kearns dhe Bob Menendez më sulmojnë mua, por jam krenar edhe kur e shoh se emrat që ishin më parë nuk janë më aty”, shtoi Vuçiq.

Ambasadori i Ukrainës në Serbi, Volodymyr Tolkach, tha të martën se në shoqërinë ukrainase po rriten zërat gjithnjë e më shumë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, dhe se një numër i caktuar i deputetëve në Parlamentin e Ukrainës po e përkrahin qëndrimin për njohjen e mundshme të Kosovës.

Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e shpallur në shkurt 2008.

“Qëndrimi i Ukrainës është parimor dhe i qëndrueshëm – Ukraina e respekton integritetin territorial të Serbisë”, thuhet në komunikatën e ambasadorit Tolkach.

Por, Toklach tha se lidershipi i Kosovës “ka marrë qëndrim të qartë për dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës, posaçërisht duke e sanksionuar agresorin”.

Ai e pranoi se nuk është befasi se zërat po rriten gjithnjë e më shumë në shoqërinë ukrainase në përkrahje të njohjes së pavarësisë së Kosovës.

“Ukraina, si vend demokratik i cili e respekton lirinë e fjalës, nuk mund ta kufizojë shprehjen e mendimit të politikanëve të tjerë, të rrethit profesional apo publikut”, theksoi ai. /REL/

/GazetaSinjali/