Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar sot se vizioni i Serbisë është që të bëhet lidere rajonale në ekonomi dhe fusha tjera, dhe se për një gjë të tillë nuk ka kohë për të humbur.
Vuçiq tha se Serbia në panairin e Abu Dhabit kishte treguar se ishte lojtar serioz në industrinë e mbrojtjes.
“Ne presim realizimin e një numri të madh të projekteve, lidhjen e kontratave të reja dhe sjelljen e shumë investitorëve, sepse Serbia nuk ka kohë për të humbur, pavarësisht situatës komplekse globale. Ne duhet të ndërtojmë një të ardhme të sigurt për gjithë popullin tonë dhe brezat që vijnë,” – u shpreh ai.
Në Serbi është ndërtuar ideja se nëse nuk pranohet propozimi evropian (plani franko—gjerman) atëherë ky vend do të përballej me sanksione të rënda ekonomike, që do të përfshinte edhe largimin e investitorëve të mëdhenj evropianë.
Partneri më i madh tregtar i Serbisë është Gjermania.
Kujtojmë se nesër do të mbahet takimi në Bruksel mes presidentit serb Vuçiq, kryeministrit tonë Kurti dhe ndërmjetësuesve evropianë për të zyrtarizuar propozimin franko-gjerman.