Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se “cilido qoftë vendimi i popullit serb” për barrikadat, ai do ta pranojë.
“Do të jem me ta dhe do ta ruajmë unitetin serb”, shkroi ai në Instagram, ku tha se është duke shkuar për në Rashkë.
“Duke ditur se ata deri në çlirimin përfundimtar nuk do të kënaqen kurrë me asnjë vendim, me ndërgjegje dhe fytyrë të pastër, shkoj para tyre, i bindur se sot është një ditë e mirë për Serbinë, ngase kemi ruajtur paqen dhe kemi marrë garanci për sigurinë dhe mbijetesën e serbëve”, tha ai.
Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi sot se ish-policit serb, Dejan Pantiq, i është ndryshuar masa e sigurisë, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.
Arrestimi i Pantiqit, nxiti ngritjen e barrikadave në veri të Kosovës që nga 10 dhjetori nga disa serbë lokalë, duke bllokuar rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën me Serbinë.