Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha sot se paralajmërimi i Kosovës për të dorëzuar padi për gjenocid kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë është paralajmërim që nënkupton fillimin e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.
Por Vuçiq ka kërkuar që një gjë e tillë të mos bëhet.
“A mund ta kërcënoni Serbinë me procese gjyqësore për gjenocid? Ju mund ta bëni atë vetëm përmes një shteti tjetër, domethënë përmes Shqipërisë – kjo do të nënkuptojë fillimin de facto të bashkimit me Shqipërinë. Unë u kërkoj shqiptarëve nga Kosova të mos e bëjnë këtë”, tha Vuçiq.
Ai gjithashtu u bëri thirrje atyre që, siç thotë ai, “vazhdojnë të kujdesen për Prishtinën si fëmijën e tyre”, të mos e bëjnë këtë.
Vuçiq shtoi se ndërkombëtarët gënjejnë kur thonë se janë kundër ndryshimit të kufijve.
“Kur dëgjoni reagimet e njerëzve nga jashtë dhe posa t’ju thonë se janë kundër ndryshimit të kufijve, ju e dini që ata po ju gënjejnë hapur”, tha Vuçiq.
Qeveria e Kosovës planifikon të ngre padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë ndaj Serbisë për krimin dhe gjenocidin gjatë luftës.
Këtë synim, kryeministri Albin Kurti e ka deklaruar në fjalën e tij të parë në Kuvend pasi mori pozitën e shefit të Qeverisë.