Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka zbuluar diçka nga dokumenti i QUINT që ka lidhje me Kosovën. Ai tha se ky dokument përmban elemente të pakos së Ahtisaarit.
“Ka gjëra që mund t’i bëjmë, por ka gjëra që nuk mund t’i bëjmë. Marrëveshja është që dokumenti të mos publikohet”, ka thënë Vuçiq.
Siç ka thënë ai “partnerët tanë janë të shqetësuar për mundësinë e një përshkallëzimi në terren”.
Siç raporton “Blic.rs” presidenti serb është pyetur nëse dokumenti dhe deri në çfarë mase i kthehet planit për Kosovën që dikur ishte propozuar nga Martti Ahtisaari, ka thënë se “diçka i ngjanë atij plani e diçka jo”.
“Diçka është Ahtisaari minus, dhe diçka Ahtisaari plus”, thotë ai.
Prandaj, siç thotë, për këtë nuk është as i lumtur dhe as i kënaqur.
I pyetur nëse është bërë të paktën një hap për të gjetur një zgjidhje për riregjistrimin e targave në Kosovë, ai thotë se “asnjë milimetër nuk janë afruar”.
“Asgjë, zero”, theksoi Vuçiq, duke shtuar se “nuk mund të shpikni një problem, të insistoni në të dhe tani të gjithë duhet të merren me të”.
I pyetur për të komentuar deklaratën e profesorit amerikan Daniel Serwer, i cili ka thënë se nuk ka arsye të qëndrueshme për shtyrjen e afatit për riregjistrimin e automjeteve në Kosovë, Vuçiq tha se “sa i përket Serwerit, nuk ka asnjë arsye të fortë që Serbia të ekzistojë, madje edhe më pak që serbët të ekzistojnë në veri të Kosovës”.
Ai theksoi se fuqitë e mëdha nuk do të ndryshojnë qëndrimet e tyre [për çështjen e Kosovës].
Ambasadorët e vendeve të QUINT-it kanë thënë të premten se në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i kanë shprehur shqetësimin për prishjen e mundshme të stabilitetit në rajon, para përfundimit të afatit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të makinave me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës.
Afati për riregjistrim të makinave në RKS ka nisur më 1 shtator dhe përfundon më 31 tetor.
Qeveria e Kosovës ka thënë se afati për riregjistrim nuk do të shtyhet dhe se nga 1 nëntori nuk do të mund të qarkullojnë më makinat me targa të lëshuara nga Serbia.