“A do të ndërrojë ShBA qëndrimin ndaj Kosovës? Jo. Por, a dëshiroi Chollet të dëgjojë se çfarë ka për thënë Serbia? Po”. Kështu tha Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një konferencë për media duke folur për takimin me Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.
Me zyrtarin e lartë amerikan, Vuçiq tha se kanë diskutuar për planin franko-gjerman, për të cilin tha se i ka shpjeguar “vijat e kuqe” për Serbinë.
“Vijat e kuqe janë çfarëdo forme e njohjes, formale apo informale; dhënie të anëtarësimit të Kosovës në OKB. Për këto s’duam të flasim. Për gjithçka tjetër mund të flasim, për të parë se çfarë merr e çfarë nuk merr Serbia, e çfarë dikush tjetër”, tha ai.
Në lidhje me Asociacionin, dhe deklarimin e Chollet se një gjë e tillë duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, Vuçiq u shpreh i pakënaqur.
“Atëherë për çfarë paskemi negociuar”, tha ai.
“Kur ngulmi këmbë se diçka duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës, në atë rast, për çfarë paskemi negociuar? Pse kemi negociuar? Ne nuk duhet të kishim negociuar për diçka që të jetë në përputhje me sistemin e juaj ligjor”, u shpreh ai.
Ai tha se nëse ajo duhet të koordinohet, ajo mund të ishte bërë pa dialog dhe bisedime të vështira.
“Ne kemi bërë negociata në pajtim me aktet ligjore dhe legjislacionin e dikujt, tjetrit, ose një pale tjetër. Këtë ia thash Cholletit dje”.
“Nuk do të jetë e lehtë, por është mirë që është krejtësisht e qartë se Asociacioni duhet të formohet”, u shpreh mes tjerash ai, teksa shtoi edhe se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Vienë ka mohuar se do ta formojë këtë Asociacion.
“Më herët thoshte se nuk ishte i kënaqur me planin franko-gjerman, dhe unë kam thanë se s’është e vërtetë, por dje tha se e pranon plotësisht. E dinim që në fillim që ai plan është i bazuar mbi gjithçka që ata duan. Ata thonë se pranojnë gjithçka vetëm që t’i shmangen obligimeve paraprake për të formuar Asociacionin”, vazhdoi ai.
Duke komentuar edhe Ministrin serb në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiç, ai tha se “atë nuk e pret askush në veri, përveç tri OJQ0-ve që financohen nga britanikët dhe gjermanët”.
“Një pjesë e mirë e botës s’do t’i mbyllë më sytë ndaj Prishtinës dhe t’i thotë ‘mund të bëni ç’të doni’”, tha Aleksandar Vuçiq për gazetarë ku foli për herë të parë pas takimit me Këshilltarit e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.