image Vuçiq paralajmëron dorëheqje të reja pas tragjedisë në Novi Sad

Rajon

Vuçiq paralajmëron dorëheqje të reja pas tragjedisë në Novi Sad

news image

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të martën se pret dorëheqje të reja prej zyrtarëve qeveritarë të nesërmen, për shkak të tragjedisë që ka ndodhur në Novi Sad, më 1 nëntor, kur një strehë e betonit të stacionit hekurudhor është shembur dhe ka vrarë 15 persona.

“Përgjegjësia nuk mund të shmanget. Ndonjëherë duhet të merrni përgjegjësi politike e morale edhe kur jeni plotësisht i pafajshëm”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka thënë se 15 persona nuk kanë vdekur për fajin e tyre, por sepse “dikush nuk e ka kryer punën siç duhet dhe në përputhje me ligjin”.

Vuçiq ka thënë se në muajt në vijim do të bëhet problem fakti që projektet janë ndalur në Serbi nga “presioni dhe frika e përhapur”.

“Ka të bëjë me faktin që sot nuk mund të marrësh nënshkrimin e asnjë institucioni shtetëror për asgjë, askush nuk dëshiron të nënshkruajë asgjë. Nuk mund të kryhet as rindërtimi i mbikalimeve dhe nënkalimeve në Serbi”, ka thënë ai.

Aktivistët kanë mbajtur dhjetëra protesta në Novi Sad dhe Beograd, ndërsa opozita dhe disa qytetarë janë duke kërkuar llogari nga Qeveria për tragjedinë në Novi Sad.

Aksidenti ka ndodhur pas rihapjes së stacionit hekurudhor të Novi Sadit në korrik të këti viti, pas tre vjetësh të rindërtimit.

/GazetaSinjali/