image Vuçiq para takimit në Ohër: I dimë vijat tona të kuqe, do ta mbrojmë vendin tonë fort

Politikë

Vuçiq para takimit në Ohër: I dimë vijat tona të kuqe, do ta mbrojmë vendin tonë fort

news image

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se nesër në takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Ohër, “nuk do të nënshkruajë asgjë”, por se do të “diskutojë për normalizimin e marrëdhënieve”.

Vuçiq në një tubim me partinë e tij, tha se tani kanë nevojë për paqe dhe jo sipas tij, papërgjegjshmëri, pasi kështu mund të rrezikojnë të ardhmen e Serbisë, shkruan N1.

“Por ne i dimë vijat tona të kuqe në çdo kohë dhe gjithmonë do ta mbrojmë vendin tonë më fort, seriozisht dhe me përgjegjësi”, ka thënë Vuçiq.

“Tani më shumë se kurrë kemi nevojë për mençuri, kemi nevojë për paqe, jo marrëzi, jo papërgjegjshmëri, vetëm kështu mund të rrezikojmë të ardhmen e vendit tonë”, tha Vuçiq.

Qëllimi kryesor i Serbisë, sipas Vuçiqit, duhet të jetë “ta çojë anijen shtetërore dhe kombëtare të sigurt në një port paqësor dhe të shmangë pjesëmarrjen në luftërat e njerëzve të tjerë”.

Vuçiq ka thënë se ka “frikë” se bota nuk është larg luftës së tretë botërore dhe siç shtoi ai, serbët nuk kanë humbur asnjë luftë me pasoja katastrofike.

“Ka shumë budallenj në vendin tonë që lehtë do ta tërhiqnin vendin në konflikte”, shtoi Vuçiq.

Ai tha se pas urdhrit të Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë për arrestimin e presidentit rus Vladimir Putin, qëndrimi i Beogradit nesër në Ohër, ku supozohet të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, do të jetë më i vështirë, “edhe më me përgjegjësi”.

Sipas tij, me këtë vendim, Perëndimi dëshiron të ushtrojë presion shtesë mbi të gjithë ata që tashmë nuk janë më fort kundër Putinit dhe kushdo që mendon për Rusinë “do të ekspozohet ndaj pasojave më të rënda”.

/GazetaSinjali/