Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është shfaqur i hidhëruar me Malin e Zi, pasi ky shtet ka njohur zyrtarisht gjenocidin, i cili ka ndodhur në Srebrenicë ku u vranë 8 mijë burra mysliman nga njësitet e serbëve në Bosnje dhe Hercegovinë, transmeton Sinjali.
Serbia vazhdon të insistojë se vrasjet në Srebrenicë nuk përbëjnë gjenocid. Vuçiq përmes një videomesazhi është shprehur se ata nuk kanë besuar që Parlamenti i Malit të Zi do të miratojë një rezolutë të tillë.
Ai ka deklaruar se veprimi i Parlamentit të Malit të Zi është kundër Serbisë dhe ata do të analizojnë këtë vendim ditëve në vijim ngase nuk duan që të marrin vendime të nxituara.
Vuçiq e ka akuzuar Malin e Zi se është ndikuar nga ambasadat e caktuara, ndërkaq u ka bërë thirrje serbëve që jetojnë në Malin e Zi të mbajnë kokën lart, ngase ata janë në dijeni se do të ketë edhe rezoluta tjera të cilat do të miratohen kundër serbëve.
“Dhe në asnjë mënyrë nuk do të fyejmë ata që i morën ato vendime, dhe sigurisht kundër interesave të Serbisë. Unë po u them njerëzve tanë që jetojnë në Malin e Zi se jemi me ta, është e jona të mbajmë kokën lart, të luftojmë dhe të ndërtojmë paqen. Rroftë Serbia dhe populli serb”, ka thënë Vuçiq.
Ky reagim i tij erdhi me rastin e rezolutës së miratuar nga parlamenti malazez të enjten në mbrëmje, ku njihet gjenocidi në Srebrenicë. /GazetaSinjali/