Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, pasi u kthye nga Mynihu në Beograd ka takuar krerë të kishës ortodokse serbe. Në një konferencë para gazetarëve, Vuçiq ka folur edhe për taksën 100% që Kosova i vendosi Serbisë gjatë kohës sa Ramush Haradinaj ishte kryeministër i vendit.
Siç pretendon Vuçiq, në Gjermani gjatë vizitës së fundit, e ka kuptuar se ish kryeministrit Haradinaj i kanë qënduar prapa edhe disa shtete të tjera për të mbajtur vendimin për taksën, por nuk ka zbuluar emra.
Vuçiq ka thënë se për një gjë të tillë do të flasë në të ardhmen.
“Dje, për herë të parë kuptova përfundimisht që Ramush Haradinaj nuk ishte i vetëm kur e vendosi taksën ndaj Serbisë”, ka thënë Vuçiq duke shtuar se prapa një vendimi të tillë qëndronte edhe një pjesë e komunitetit ndërkombëtar.
“Do të flas për këtë gjë më vonë”, ka shtuar tutje kreu i shtetit serb, shkruan Kosov-Online./GazetaSinjali/