Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë, po vazhdon të krenohet me të kaluarën e tij, që shumë liderë ballkanas dhe jo vetëm, e shohin me dyshim për shkak të flirtimit me Sheshelin, kriminel i dënuar lufte e ish-diktatorin Sllobodan Milosheviq.
Në fjalimin e tij në Kuvendin e Serbisë, ku po raporton për çështjen e dialogut me Kosovën e planin franko-gjerman, ai ka thënë se është krenar që kishte sanksione ndaj tij.
Tutje, siç raporton gazeta serbe N1, ka theksuar se nuk ishte i shantazhuar.
“Për të shantazhuar dikë, fillimisht duhet të keni diçka me çka do të shantazhoni. Unë nuk kam asgjë për të humbur dhe nuk më intereson… Unë njoh politikanë që janë nën sanksionet e SHBA dhe Britanisë së Madhe dhe takohem me ta rregullisht (duke aluduar në Radoiçiqin, Veselinoviqin dhe Dodikun). Edhe çka?, Epo unë kam qenë krenar për sanksionet që më janë vendosur në vitin 1999. Unë isha fajtor pasi e mbroja vendin tim dhe sulmoja agresorin. Po thonë ta publikojmë këtë se është një informacion i vështirë për Vuçiqin. Hajde, ju lutem publikojeni këtë edhe një herë që kam qenë nën sanksionet e tyre, jam i lumtur që kam qenë kundër atyre që bënë agresion ndaj vendin tim. Mendoni se isha i mërzitur apo i zemëruar për këtë? Për çka, që ata më kanë ndaluar të udhëtoj diku?” – theksoi ai.