Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ripërsëritur qëndrimin e tij kundër Ballkanit të Hapur.
Ai ka thënë se s’ka Ballkan të Hapur pa qenë gjashtë vendet e rajonit dhe pa trajtim të barabartë. Madje sipas tij, ky ka qenë edhe mesazhi i të dërguarit të posaçëm të ShBA-së, Gabriel Escobar.
I pyetur rreth ofertës së Serbisë për ofrim të linjitit në këmbim të energjisë elektrike, Kurti, u përgjigj negativisht, duke thënë se Vuçiq prej idesë së shkëmbimit të territoreve, tash po e dëshiron qymyrin e Kosovës.
Kreu qeveritar tha se pret nesër nga kancelari gjerman Olaf Scholz mesazhe të qarta për fuqizim të Procesit të Berlinit.
Ai foli edhe për veteranët e UÇK-së, për të cilët tha se ka ndjeshmëri të madhe.
Këto komente Kurti i bëri të enjten, pas dorëzimit disa medaljeve të njësisë speciale.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dje gjatë samitit për “Ballkanin e Hapur”, tha se do t’i ofronte Kosovës rrymë në këmbim të një sasie të konsiderueshme të linjitit, shkruan kp.
“Ne ishim të gatshëm t’i ofronim Prishtinës shkëmbim në mënyrë që të merrnim sasi të konsiderueshme të linjitit cilësor dhe të dërgonim energji elektrike. Nëse nuk e bëni, mund ta bëni të njëjtën gjë për para. Ne nuk kemi asnjë problem dhe jemi të gatshëm të flasim për këtë”, iu tha Vuçiq gazetarëve gjatë samitit për “Ballkanin e Hapur”, kishte thënë ai.