Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar sot ambasadorin e Federatës Ruse, Aleksandar Bocan-Harchenko. Ai ka gjetur këtë moment për tu ankuar tek ambasadori rreth serbëve që jetojnë në Kosovë.
Vuçiq njoftoi se i tha Harçenkos se Serbia është në një situatë jashtëzakonisht të vështirë dhe se për këtë arsye do të kërkojë një seancë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të informuar mbarë opinionin botëror për përpjekjet për të kërcënuar paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
“E njoftova ambasadorin e Federatës Ruse, Bocan Harçenko, për dhunën politike, juridike dhe fizike që po ushtron Kosova ndaj serbëve në Kosovë, i thashë se Serbia është në një situatë jashtëzakonisht të vështirë, prandaj Republika e Serbisë do të kërkojë një seancë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në mënyrë që të informojë mbarë publikun botëror për përpjekjet për të kërcënuar paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar presidenti Vuçiq në Instagram.