image Vuçiq: Duan ta anëtarësojnë Kosovën në NATO

Rajon

Vuçiq: Duan ta anëtarësojnë Kosovën në NATO

news image

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka deklaruar sonte se disa në Perëndim dëshirojnë që katër vendet e BE-së, anëtare të NATO-s, ta njohin Kosovën, në mënyrë që Kosova të anëtarësohet në NATO, e këtë e ka konfirmuar edhe ish-zëdhënësi i NATO-s Jamie Shea.

Vuçiq ka deklaruar kështu në televizonin Pink kur është pyetur se si e komenton faktin se Jamie Shea ka thënë se nevojitet që vetëm edhe katër vende të NATO-s të pajtohen dhe Kosova të anëtarësohet në Aleancën Veri-Atlantike.

Vuçiq tha se këto katër shtete janë Rumania, Sllovakia, Spanja dhe Greqia, por se nuk mendon se kjo është diçka reale për momentin.

“Kjo është ideja e tyre, ata duan ta shtyjnë atë ide, por nuk mendoj se është reale tani, ata nuk kanë nevojë për Serbinë si kundërshtar, sepse nuk kanë nevojë për ndonjë problem tjetër diku. Por, kjo ide ekziston. Nuk e kam shpikur unë historinë e NATO-s dhe Kosovës – 50 herë i kam kaluar të gjitha letrat që i marr nga shërbimet”, tha Vuçiq.

Vuçiq shtoi se, “megjithatë ata nuk e kuptojnë se amerikanët nuk janë krejtësisht për këtë, as evropianët nuk mund të jenë për këtë, sepse ata e perceptojnë NATO-n si një aleancë të mbrojtjes dhe sigurisë dhe jo si diçka për presion politik”.

“Nuk jam i sigurt se do ta marrin atë vendim”, ka shtuar Vuçiq dhe ka theksuar se Shea ka treguar edhe në të kaluarën se çfarë mendon dhe dëshiron për Serbinë.

/GazetaSinjali/