Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq raportohet se e ka informuar ambasadorin amerikan, Christopher Hill rreth “rritjes së situatës së vështirë” dhe sfidave me të cilat po përballen qytetarët serbë në Kosovë.
Vuçiq gjatë takimit ka thënë se situata po bëhet më e vështirë çdo ditë, dhe se serbët po përballen “thuajse çdo ditë me sulme, arrestime dhe presion tjetër”, raporton mediumi “Kosovo-Online”.
“Vuçiq ka thënë se situata e serbëve që jetojnë në Kosovë po bëhet më e vështirë çdo ditë, dhe se po ekspozohen thuajse çdo ditë me sulme, arrestime e presione të tjera të drejtuara ndaj pakënaqësive të qytetarëve për shkak të veprimeve ilegale të autoriteteve në Prishtinë dhe mungesën e reagimeve adekuate nga komuniteti ndërkombëtar.” – thuhet në komunikatën e presidencës serbe.
Po ashtu, thuhet se Vuçiq ka deklaruar se Serbia është gati t’i zgjidhë të gjitha çështjet e hapura përmes dialogut.
Mes tjerash është përmendur se presidenti serb pret përkrahjen e ShBA-së për paqe në rajon, duke iu referuar fillimisht formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Nuk dihet ndërkaq se çfarë ka deklaruar Hill në këtë takim.