Në Bosanska Krupa, në perëndim të Bosnjë e Hercegovinës, një polic është vrarë dhe një tjetër është plagosur, pasi një stacion policor u sulmua në orët e vona të së enjtes, konfirmoi për REL-in Ministra për Punë të Brendshme e kantonit Una-Sana.
Zyrtarët policorë u sulmuan nga një i mitur, i cili është arrestuar.
“Ky është akt kriminal i terrorizmit”, tha Adnan Beganoviq, zëdhënës i Ministrisë së Brendshme më 25 tetor. Ai tha se hetimi i kryer nga Zyra e Prokurorit e kantonit ka përfunduar. Ai nuk dha detaje të tjera.
Sipas tij, polici i dytë që u plagos, i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe gjendja e tij shëndetësore është stabile.
Zyrtarët policorë ende gjenden në vendngjarje.
Sipas ligjeve në Bosnjë e Hercegovinë, por edhe të entitetit të Federatës së Bosnjë e Hercegovinës, një akt terrorist përkufizohet si një veprim që mund të dëmtojë seriozisht shtetin. Veprime të tilla përfshijnë sulm ndaj jetës së një zyrtari, apo “sulm ndaj integritetit fizik të një personi”.
Sipas informacioneve nga sindikata e policëve në kantonin Una-Sana, polici i vrarë ishte Ozren Maran, ndërkaq Avdo Hasanoviq, është zyrtari policor që u plagos.
Kjo sindikatë dënoi ashpër sulmin dhe kërkoi që të rritet siguria ndaj zyrtarëve policorë si dhe përgjegjësit të ndiqen penalisht, në përputhje me ligjin.
“Sulmi ndaj zyrtarëve policorë është sulm ndaj shtetit”, tha kjo sindikatë.