Autoritetet italiane po hetojnë vrasjen e gazetarit sportiv Luigi Esposito, trupi i pajetë i të cilit u zbulua në një zonë rurale pranë qytetit Eboli, në provincën e Salernos.
53-vjeçari u gjet nga ekipet e zjarrfikësve gjatë ndërhyrjes për shuarjen e një zjarri në shkurre. Për shkak të djegieve të rënda, identifikimi i viktimës nuk ishte i mundur menjëherë, por hetuesit më vonë konfirmuan identitetin e tij pasi pranë vendit të ngjarjes u gjet automjeti që i përkiste.
Sipas të dhënave paraprake të hetimit, ekzistojnë dyshime se Esposito është qëlluar fillimisht me armë zjarri dhe më pas autorët i kanë vënë flakën trupit në përpjekje për të fshehur provat e krimit.
Në zonën ku u gjet viktima, hetuesit sekuestruan disa gëzhoja, ndërsa autopsia pritet të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes dhe të ndihmojë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Luigi Esposito ishte një gazetar i njohur sportiv në Itali. Ai kishte bashkëpunuar me disa media lokale, përfshirë gazetën La Città di Salerno dhe televizionin Ottochannel, ndërsa ishte edhe themelues i portalit sportiv Tuttosalernitana.com. Deri më tani nuk janë bërë të ditura motive të mundshme apo persona të dyshuar lidhur me këtë ngjarje.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!