Tre persona janë vrarë të enjten nga një sulm izraelit në kampin e refugjatëve Nur Shams në Bregun Perëndimor, thanë zyrtarët shëndetësorë palestinezë.
Ushtria izraelite tha të enjten se kreu një sulm ndaj “infrastrukturës terroriste” në Nur Shams.
Zyrtarët palestinezë dhe agjencia e lajmeve WAFA thanë se një numër i madh automjetesh dhe buldozerësh izraelitë u futën në qytet dhe shkuan drejt kampit të refugjatëve Nur Shams.
Brigadat Al Quds, krahu i armatosur i lëvizjes palestineze Xhihadi Islamik, tha se e ka shpërthyer një bombë të madhe për ta parandaluar bastisjen e ushtrisë izraelite.
Ushtria izraelite tha se atje e eliminoi një militant të Hamasit, i cili dyshohet se ishte përfshirë në planifikimin e sulmeve ndaj izraelitëve.