Vajza e Mexhit Picarit, Dhurata Saliaj, 33-vjeçare u arrestua nga Policia e Tiranës dje, si bashkëpunëtore e autorit të krimit që tronditi kryeqytetin shqiptar.
Ngjarja e rëndë ndodhi në afërsi të Gjykatës së Apelit. Picari qëlloi për vdekje ish-dhëndrin e tij, Kudret Saliaj, si dhe plagosi lehtë edhe prokurorin Adriatik Cama.
“Shtetasi M. P., 53 vjeç, i arrestuar po sot nga Policia dyshohet se në bashkëpunim me shtetasen DH. S, ( vajzën e tij) janë autorë e ngjarjes se ndodhur, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi K. S. (ish-bashkëshorti i shtetases Dh.S) dhe si pasojë e të shtënave mbeti i plagosur dhe shtetasi A. C., i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë” e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë, ”Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” e kryer në bashkëpunim, ”Vrasja në rrethana cilësuese” e kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.”, njofton ndër të tjera policia.
Ngjarja
Vajza e autorit dhe viktima ishin në proces divorci dhe pikërisht dje çifti kishte seancën e pestë të divorcit, ku do të vendosej se kush do t’i mbante 3 fëmijët, ndërsa paraprakisht rrinin me viktimën.
Një vit më parë viktima sipas burimeve kishte kërkuar urdhër-mbrojtjeje nga ish-vjehrri. Gjykata nuk e kishte pranuar kërkesën e tij, ndërsa ai ndihej ende i kërcënuar nga ish-vjehrri.