Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Rrogozhinë, ku një konflikt mes dy fqinjëve përfundoi me vdekjen e një 60-vjeçari.
Sipas informacionit paraprak të Policisë së Shtetit, rreth orës 21:50 në lagjen “Mollaj”, shtetasi Meklan Meçe, 25 vjeç, dyshohet se ka goditur me thikë fqinjin e tij, Rrapush Memolla, 60 vjeç.
I plagosuri u transportua për ndihmë mjekësore, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra, duke ndërruar jetë si pasojë e dëmtimeve.
Nga ngjarja ka mbetur i lënduar lehtë edhe autori i dyshuar, i cili ka pësuar dëmtime në dorë.
Forcat e policisë mbërritën menjëherë në vendngjarje, ku bënë të mundur identifikimin dhe arrestimin e 25-vjeçarit, i cili tashmë ndodhet në pranga nën dyshimin për kryerjen e krimit.
Nën drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në konfliktin fatal, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!