Familjet Sekiraqa dhe Capat, të njohura edhe si grupe që janë në konflikt qe një kohë vazhduan ‘betejën’ të dielën mbrëma që përfundoi tragjikisht. Një konflikt me armë mes tyre në lagjen Aktash në Prishtinë la të vdekur një person dhe pesë të tjerë u plagosën. Të plagosurit po ruhen në QKUK dhe tashmë Policia ka dalë me raport zyrtar, raporton Gazeta Sinjali.
Nga Policia kanë bërë me dije se pesë personat e plagosur janë duke u trajtuar në QKUK, “nën masën e arrestit dhe mbikëqyrjes policore”.
Salih Sekiraqa, Korab Gashi (vëllai i të vrarit Premtim Gashi), Robert Llumnica (29-vjeçar), Fatos Abazi (35-vjeçar) dhe Valdrin Ademi (21-vjeçar), janë të dyshuar për përfshirje në këtë incident tragjik, shkruan Sinjali.
Rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje” dhe tashmë kanë nisur hetime intensive nga Policia në koordinim me Prokurorin e Shtetit.
Robert Llumnica, Salih Sekiraqa dhe Korab Gashi
“Një mashkull kosovar ka mbetur i vdekur si pasojë e plagëve të pësuara gjatë të shtënave me armë ndërmjet dy grupeve. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.
Po ashtu si pasojë e shkëmbimit të zjarrit kanë mbetur të plagosur edhe 5 të dyshuar meshkuj kosovarë, të cilët janë duke u trajtuar në QKUK nën masën e arrestit dhe mbikëqyrje policore.
Përveç njësive policore në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore që e kanë tërhequr trupin e pajetë për obduksion.”