image Vrasja e katërfishtë në Velipojë / Krejt çka dihet deri më tani

Shqipëri

Vrasja e katërfishtë në Velipojë / Krejt çka dihet deri më tani

news image

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pak pas mesnate në plazhin e Velipojës, përafërsisht rreth orës 00:30, ku katër persona u vranë me armë zjarri, kurse dy të tjerë mbetën të plagosur, shkruan Gazeta Sinjali.

Ngjarja tragjike ka ndodhur në Pulaj Plazh, në Velipojë dhe thuhet se gjithçka filloi për shkak të një konflikti të çastit mes dy pronarëve të dy bizneseve, e që lidhej me hapësirën rreth plazhit, përkatësisht vendosjes së shezlongëve.

Kujtim Ferracaku, pronar i restorant “Fantazia” dyshohet se e ka filluar konfliktin me pronarët e hotel “Gocaj” për shezlonget në plazhin e Velipojës.

Viktimat nga shkëmbimi i zjarrit janë: Kujtim Ferracaku 59 vjeç, vëllezërit Xhovani dhe Edmond Gocaj 25 dhe 38 vjeç dhe Myzerim Zeneli 20 vjeç.

Kurse të plagosurit janë: Hasan Ferracaku 54 vjeç, për të cilin thuhet se është në rrezik për jetën dhe Elmedin Tyli 17 vjeç.

Mediat në Shqipëri raportojnë se Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë që dyshohet të jenë përfshirë në ngjarjen e rëndë. Dyshohet se dy personat në fjalë shoqëronin vëllezërit Ferracaku.

Në total janë rreth 20 persona të shoqëruar, si dëshmitarë që mund të kenë dijeni të mëtejshme rreth konfliktit që çoi në përplasjen me armë mes familjeve Ferracaku dhe Gocaj.

Gjitashtu bëhet e ditur se në këtë ngjarje mund të jenë përdorur deri në 6 armë, por që Policia ka sekuestruar vetëm një pistoletë deri më tani dhe disa prej gëzhojave që janë nga disa armë të ndryshme.

Çka tha babai i dy të vrarëve?

Babai i dy djemve të vrarë në mbrëmjen e djeshme në hotelin e familjes Gocaj në Velipojë, Pjetër Gocaj, ka treguar se përplasja ka ndodhur për shezlonget.

“Shezlonget i kam vendosur që në qershor po në sipërfaqen ku i kam pasur vjet. Gjatë qershorit ka filluar ndarja. Unë nuk mund të kundërshtoj asgjë sepse të gjitha janë me dokumente.

Ne i kemi vendosur shezlonget përpara se të bëhej ndarja nga shteti dhe ishim në pritje kur të vendosej kjo ndarje për të shikuar se ku i kemi ne dhe ku i kanë ata. Kjo që ka ndodhur mos i ndodhtë më kujt, mua më është fikur dera e shtëpisë“, ka thënë ai.

Tutje ai ka shtuar se atij nuk i duhet jeta më pas vrasjes së dy djemve të tij.

Nuk e kuptoj si ka ndodhur konflikti, por e di që për shezlone. Më kanë vrarë tek dera e shtëpisë, më kanë vrarë dy djemtë. Çfarë më duhet jeta më. Vitin e kaluar i kam pasur unë shezlongët, këtë vit ia kanë dhënë atij. Ne kemi pritur që të ndahen shezlonget sepse kanë qenë pa u ndarë ende, ata kanë ardhur dhe na vranë në shtëpi.

Uroj mos t’i ndodhë më kujt se peshën e rëndë të kësaj ngjarje e kam unë mbi supe. Asgjë nuk dimë. Më kanë vrarë djemtë”, tregon ai.

Në mesin e të vrarëve është edhe 20-vjeçari Myzerim Zeneli, për të cilin dje ishte dita e parë e punës si kamerier në hotelin “Gocaj” dhe fatkeqësisht dita e parë e punës së tij përfundoi të ishte dita e fundit e jetës.

Gjatë momentit kur dy familjet Ferracaku dhe Gocaj filluan konfliktin me armë i pranishëm ka qenë dhe 20-vjeçari, i cili ka marrë disa plumba dhe ka humbur jetën./ Gazeta Sinjali/