Katër persona janë ndaluar si të dyshuar për ngjarjen tragjike që tronditi Gjilanin mbrëmë, ku pas një përleshje të armatosur mbeti i vrarë 22-vjeçari, Egzon Rafuna, ndërsa u plagos 29-vjeçari, Valdrin Halimi, nga fshati Pogragjë i kësaj komune, raporton Gazeta Sinjali.
Policia njofton se në këtë rast kanë qenë të involvuar gjashtë persona, të cilët kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të njëri-tjetrit.
“Si pasojë e plagëve të marra nga shkëmbimi i zjarrit, një mashkull kosovar ka ndërruar jetë, kurse një tjetër mashkull kosovar është plagosur. I plagosuri është dërguar në tretman mjekësorë në QKUK”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në vendin e ngjarjes Policia ka gjetur një pistoletë dhe shtatë gëzhoja të kalibrave 7.65 dhe 9 mm, të cilat janë konfiskuar në cilësi të provave materiale.
Trupi i pajetë i 22-vjeçarit është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Ndërkaq, me urdhër të prokurorit, të arrestuarit janë dërguar në mbajtje./Gazeta Sinjali/