Prishtina u trondit mbrëmjen e 4 gushtit nga të shtënat me armë në lokalin Bon Vivant, pas një konflikti verbal mes disa të rinjve. Në këtë rast ka ndërruar jetë një person ndërsa 17 të tjerë janë lënduar, kurse kanë 4 persona kanë mbetur të plagosur të cilët dyshohet të jenë të përfshirë në konflikt, shkruan Gazeta Sinjali.
Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me të shtënat me armë ku raportohet të ketë ndodhur pas një mosmarrëveshje.
Policia ka bërë me dije se 17 persona të tjerë, tre burra dhe 14 gra, kanë marrë lëndime si pasojë e thyerjes së gotave-shisheve të qelqit.
Sipas Policisë, katër të dyshuarit mbeten të hospitalizuar në QKUK dhe me vendim të prokurorit ndalohen (nën përkujdesje të policisë), derisa një i dyshuar tjetër gjendet në arrati.
“Rr. Xheladin Hana, Prishtinë 04.08.2023-20:17. Dyshohet se pas një mosmarrëveshje në një lokal, në mes të disa të dyshuarve meshkuj kosovarë, janë përdorur edhe armë zjarri (të shtëna me armë zjarri), si pasojë e kësaj lëndime trupore kanë pësuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë (nga arma e zjarrit), ndërsa si pasojë e thyerjeve të gotave–shisheve të qelqit lëndime kanë pësuar 17 persona, prej tyre tre meshkuj dhe 14 femra. Katër të dyshuarit mbeten të hospitalizuar në QKUK dhe me vendim të prokurorit ndalohen (nën përkujdesje të policisë). Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësit relevante policore dhe njësia K-9, në vend-ngjarje janë gjetur katër gëzhoja dhe njolla gjaku. Një i dyshuar mashkull gjendet në arrati”, thuhet në raport.
Kujtojmë se mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë një person i cili ishte dërguar në QKUK në gjendje të rëndë pas plagëve që mori në gjuajtjen me armë zjarri.
Lajmin e ka konfirmuar për Sinjalin, shefi i repartit intensiv në QKUK, Shaqir Uka.
“Nga informacionet qe kam nga ekipa kujdestare e Mjekimit Intensiv, 1 pacient që ka marrë plagë nga plagosja e mbrëmshme pas intervenimit kirurgjik është sjell për trajtim të mëtutjeshëm në Mjekumin Intensiv. Pacienti në fjalë edhe përkundër të gjithë trajtimit kirurgjik dhe terapisë intensive nuk ka arritur të iu mbijetoj plagëve dhe ka ndërruar jetë në orët e hershme tē mëngjesit”, ka deklaruar Shaqiri.