image Vrasja mes kushërinjëve në Batllavë/ IPK nis hetimet

Siguri

Vrasja mes kushërinjëve në Batllavë/ IPK nis hetimet

news image

Të hënën (18 tetor) një vrasje e rëndë e tronditi Batllavën. Aty u vra Gazmend Brahimi. Ndërsa i dyshuari është kushëriri i tij, Baki Brahimi. E gjithë ngjarja, sipas familjarëve, dyshohet të ketë ndodhur për tre kilogramë pasul, shkruan Gazeta Sinjali.

Më 18 tetor, Gazmend Brahimi, 41- vjeçar, është qëlluar për vdekje. E dorasi, dyshohet të ketë qenë kushëriri i tij, Baki Brahimi.

Për këtë rast, Gazeta Sinjali ka kontaktuar me Inspektoriatin Policor të Kosovës, të cilët kanë thënë që kanë nisur hetimet për rastin në Batllavë të Podujevës.

 “Duke ju referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se Inspektorati Policor i Kosovës  respektivisht Departamenti i Hetimeve sipas detyrës zyrtare ka filluar grumbullimin e informatave sipas detyrës zyrtare rreth incidentit në fjalë”, kanë thënë nga IPK për Sinjalin.

Lidhur me këtë ngjarje tragjike, ka folur një familjar i dy palëve. Ai ka thënë se vrasja ka ndodhur për “tre kilogramë pasul”. Sipas tij konflikti mes viktimës dhe të dyshuarit ka filluar një ditë përpara dhe për këtë ka qenë e informuar Policia e Kosovës.

“Ka ndodhë ishin kon rreh edhe ish kon gju me armë. Kanë ardhë policia tek ta edhe jam shku qaty, kam bisedu me ta thanë me arrest qata që ka gjuajtur që është tash në burg, mirëpo s’ju ka dorëzu policisë.

Arsyeja ka qenë tri kilogram pasul ja paska marrë shoqi-shoqit. Një lopë ka hi në pasul të Besnik Brahimit, lopa e këtij të vrarit,  tash ka ardhë konflikti deri qitu te vrasja.”, ka thënë ai në Klan Kosova.

Ndërsa, për këtë ka folur edhe një grua, që ka qenë dëshmitare e rastit.

“I thashë: Çka ka ndodhur. Më tha: E vrava. E pyeta: Pse? Më tha se moti e ka kërkuar”.

Dëshmitarja thotë se nuk e kishte parë viktimën, por vetëm autorin, i cili me armë në dorë ecte drejt automjetit të tij.

“Jo, nuk e kam parë atë personin me biçikletë, por vetëm autorin e vrasjes. Ai me armë në dorë shkonte në drejtim të automjetit”, ka thënë ajo.

Gruaja tregon se si kishte dëgjuar krismën e armës.

“Jam zgjuar në mëngjes. E kam bërë gati kafen, jam ulur ta pijë dhe e kam dëgjuar një krismë. E kam hapur dritaren dhe jam dal, e kam parë matanë urës një biçikletë që është rrëzuar. Prita që po del personi i cili ka qenë me atë biçikletë, por doli ai i cili e ka vrarë”, u shpreh ajo.

Ndërsa nga Prokuroria Themelore e  Prishtinës kanë dhënë detaje për Sinjalin.

“Ju njoftojme se prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve te Renda ka dale ne vendin e ngjarjes. Ekipi mjekesor ka konstatuar se nje person ka vdekur nga plaget e shkaktuara nga arma e zjarrit. Me aktvendim te prokurorit i dyshuari eshte ndaluar ne kohezgjatje prej 48 oresh, per shkak te dyshimit se i njejti ka kryer vepren penale “Vrasja e rende”. Prokuroria ne koordinim me policine jane duke ndermarre te gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qellim te sqarimin te rrethanave te ketij rasti“, kanë thënë nga kjo Prokurori për Sinjalin.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/