Ditën e sotme në Athinë është zhvilluar seanca gjyqësore ndaj dy të rinjve të akuzuar për përdhunimin dhe vrasjen e studentes greke, Eleni Topaloudi,
E ëma e 21 vjeçares akuzoi nënën e njërit prej djemve se e ka ndihmuar të fshehë krimin “sepse kështu bëjnë gjithmonë. Ata përdorin paratë e tyre për të fshehur sjelljet mostruoze” tha ajo.
Gruaja e veshur me të zeza nuk arriti të ndiqte të gjithë seancën pasi i ra të fikët.
Gjendja e rënduar emocionale si dhe përballja për herë të parë me 2 vrasësit e vajzës së saj, e rënduan më shumë duke e bërë të pamundur qëndrimin brenda në sallë. Ajo u largua dhe u dërgua në spital.
Ndërkohë dhe i ati kërkoi që në gjykatë të ishin dhe familjarët e dy të rinjve duke i akuzuar se nuk ndërmorën asnjë veprim kur mësuan për sjelljen e fëmijëve të tyre.
Çfarë ndodhi?
14 muaj pas krimit të rëndë, në gjykatën e Athinës nisi sot procesi gjyqësor për vrasjen e studentes greke Eleni Topaludhi në Rodos, për të cilën është akuzuar dhe një i ri shqiptar.
Ngjarja që ndodhi natën e 27 nëntorit deri më 28 nëntor 2018 shkaktoi zemërim dhe trishtim në kombin grek.
Gruaja me sy të zi, kur pa dy të pandehurit të zhvendoseshin në bankën e të akuzuarve filloi të dridhej nga zemërimi. Edhe pse burri dhe të afërmit e saj po përpiqeshin ta frenonin, ajo u hodh nga vendi i saj duke bërtitur se donte të shihte se kush ishin “djali shqiptar” dhe “djali vendas”.
Përmes avokatit të tij, i pandehuri grek, Manolis Koukouras deklaroi se ai pranonte vetëm bashkëpunimin e thjeshtë në vrasje.
Ndërsa i pandehuri me origjinë shqiptare, Aleksandër Luca, mohoi të gjitha akuzat. /Gazeta Sinjali/