image Vrasja e rëndë e punëtorit, reagon Prokuroria Themelore e Prishtinës

Kosovë

Vrasja e rëndë e punëtorit, reagon Prokuroria Themelore e Prishtinës

news image

Prokuroria Themore e Prishtinës do t’i kërkojë Gjykatës Themelore paraburgim për dy persona e dyshuar për vrasjen mizore të një 42-vjeçari mëngjesin e sotëm, të cilët u arrestuan pas krimit.

Vepra është cilësuar “Vrasje e rëndë”, ndërsa në një përgjigje për Gazetën Sinjali, Prokuroria thotë se është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e rrethanave.

“Duke ju referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, lidhur me këtë rast ju njoftojmë se me urdhër te prokurorit kujdestar janë ndaluar dy persona të dyshuar, për veprën penale “Vrasja e rëndë”, po ashtu për të njëjtit, do të paraqes kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë”.

“Po ashtu, Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e rastit në fjalë”, thuhet mes tjerash në përgjigjen e Prokurorisë.

Një burim i Gazetës Sinjali ka bërë të ditur se një zënkë mes kolegëve që dyshohet se nisi për shkak të transportit me furgon, me të cilin udhëtonin për në punë, përfundoi me këtë vrasje.

Mëngjesin e sotëm Policia konfirmoi vdekjen e A.S., 42- vjeçar,  i cili sipas këtij burimi punonte si ndërtimtar. Po ashtu u konfiskua edhe një armë me të cilën dyshohet të jetë kryer vrasja.

Krimi u zhvillua në një vendpunishte në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, ku tash e një kohë ka nisur ndërtimi i një objekti të madh.

Burri që u vra sot ka lënë pas vetes gruan dhe tetë fëmijë, me të voglin dy javësh. /Gazeta Sinjali/