Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Besfort Lamallari, ka bërë të ditur se ka kërkuar nisjen e procedurave për shpalljen “Dëshmor i Atdheut” të efektivit të Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, i cili humbi jetën gjatë një operacioni policor.
Gjatë një vizite në Spitalin e Traumës, ku po trajtohet polici i plagosur Edison Adri, ministri shprehu ngushëllimet për familjen e viktimës dhe theksoi se shteti do të qëndrojë pranë tyre.
“Kam kërkuar nisjen e procedurave për shpalljen dëshmor të atdheut. Kjo është një humbje e rëndë për familjen, Policinë e Shtetit dhe gjithë vendin”, deklaroi Lamallari.
Ai bëri të ditur se ka kërkuar gjithashtu një vlerësim të plotë të operacionit, duke përfshirë respektimin e protokolleve dhe analizimin e çdo veprimi të ndërmarrë gjatë ngjarjes.
Polici 34-vjeçar Enea Mekolli mbeti i vrarë gjatë një operacioni për arrestimin e një personi të shpallur në kërkim dhe të dënuar në mungesë. Gjatë shkëmbimit të zjarrit u plagos edhe efektivi Edison Adri, i cili sipas autoriteteve ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas ministrit, me humbjen e Mekollit, numri i efektivëve të Policisë së Shtetit që kanë rënë në krye të detyrës ka arritur në 232.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!