E diela ishte tragjike për familjen Islamaj në Gjakovë. Dy vëllezërit, Blerimi dhe Haxhiu, u qëlluan me armë zjarri dhe për pasojë mbeten të vdekur. Tragjedisë dyshohet se i ka paraprirë një konflikt i gjatë që lidhet me pronën, e që eskaloi ditën e djeshme dhe përfundoi me fatalitet. Disa orë pas vrasjes së dyfishtë, Policia arriti ta arrestojë të dyshuarin Gjergj Gjokaj, i cili u gjet i rrahur dhe i plagosur, raporton Gazeta Sinjali.
I njëjti pas arrestimit, ka dhënë deklaratën e tij lidhur me veprën për të cilën dyshohet dhe më pas ndaj tij është nxjerrë aktvendim për ndalim policor.
Këtë e ka konfirmuar për Sinjalin, zëdhënësi i Policisë Rajonale në Gjakovë, Sheremet Elezaj.
“Është arrestuar një i dyshuar lidhur me rastin e vrasjes të ndodhur në fshatin Madanaj. Me vendim të prokurorit të shtetit i njëjti është ndalur në mbajtje.”, tha Elezaj.
Sinjali mëson se me rastin e arrestimit nga i dyshuari është konfiskuar një armë, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur disa gëzhoja.
Ndaj të dyshuarit, së shpejti pritet të ushtrohet edhe kërkesa për caktimin e masës së sigurisë nga Prokuroria Themelore në Gjakovë.
Të gjitha detajet që dihen tashmë për këtë rast i gjeni në linkun e mëposhtëm.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.