image Sokol Halili që vrau veten varroset të dielën në mesditë

Siguri

Sokol Halili që vrau veten varroset të dielën në mesditë

news image

Nesër do të varroset Sokol Halili, i cili bëri dje vetëvrasje, dy ditë pasi vrau gruan e tij shtatzënë, Hamide Magashin.

Sipas familjarëve, varrimi do të bëhet në orën 12:00, në Lagjen e Pajtimit.

“Të nderuar familjarë dhe dashamirë ju njoftojmë se varrimi i Sokol Halil Halili, bëhet nesër më 04.12.2022, në ora 12:00, në Lagjen e Pajtimit”, thuhet në njoftimin e familjes.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka lokalizuar dje vendndodhjen e Sokol Halilit i cili kishte qenë në arrati për 42 orë, por s’ka pranuar të dorëzohet dhe ka vrarë veten, në shtëpinë e tij në Shtime.

Por si kishte ndodhur e gjithë ngjarja?

Hamidja kishte nisur t’i zbresë shkallët që të dalë jashtë hapësirave të spitalit bashkë me një tjetër grua shtatzënë e cila po ashtu ishte në pritje të lindjes së një fëmije. Për praninë e ish-bashkëshortit të cilin e kishte denoncuar për dhunë në familje dhe për këtë ishte pajisur me urdhër mbrojtës nga Gjykata, Hamidja ishte në dijeni para se të dilte jashtë spitalit. Për këtë e kishte njoftuar edhe shoqen e saj, të cilës i është drejtuar duke i thënë “e paskna ish burrin këtu”.

Madje pikërisht për këtë arsye, gruaja shtatzënë e cila është dëshmitare se si ka ndodhur ngjarja, ka kërkuar nga Hamidja që të presin edhe pak dhe të mos dalin jashtë gjatë kohës që Sokol Halili ndodhej aty.

Por këtë e kishte refuzuar 35-vjeçarja, e cila kishte thënë se “Jo, jo, s’ka problem. Hajde dalim ta pijmë nga një cigare”. E me të dalë jashtë e ndjera kishte hasur në ish bashkëshortin Sokolin.

Para objektit të Klinikës së Gjinekologjisë, në afërsi të ulëseve që ndodhen aty e që shfrytëzohen nga pacientet dhe familjarët që shkojnë për vizitë, Hamidja dhe Sokoli kishin diskutuar për një kohë me njëri-tjetrin. E më pas befas janë dëgjuar të shtëna, sipas dëshmitares e cila e kishte shpinën të kthyer dhe nuk po i shihte direkt ish-çiftin.

Sokoli shkrepi armën e tij me shurdhuese në drejtim të Hamides dhe të njëjtën e qëlloi me një plumb në ballë. Dyshohet se edhe pasi e ndjera u rrëzua në tokë pa ndjenja, 31-vjeçari ka vazhduar të qëllojë, duke e lënë atë të vdekur në vend.

Një qytetar që ndodhej aty dhe kishte parë të gjithë ngjarjen, ka njoftuar Policinë, reagimi i të cilëve ka qenë i shpejtë. Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes 3-4 minuta pas marrjes së informatës dhe me të arritur në vendin e ngjarjes kanë hasur në trupin e pajetë të viktimës, e cila tashmë ishte mbuluar me një çarçaf.

Ani pse intervenimi i Policisë së Kosovës ishte i menjëhershëm, ata nuk kishin arritur ta kapin të dyshuarin kryesor, Sokolin, i cili kishte ikur në drejtim të panjohur me veturën e tij “Opel Astra”.

Lidhur me rastin janë deklaruar edhe nga Gjykata dhe Prokuroria Themelore në Ferizaj, të cilat kishin konfirmuar se e ndjera, Hamidja kishte urdhër mbrojtës.

“Gjykata pas mbajtjes së seancës së shqyrtimit të kërkesës së urdhrit mbrojtës, me datë 13.09.2022 ka lëshuar aktvendimin për urdhër mbrojtje me të cilën ka aprovuar kërkesën për urdhër mbrojtje të palës së mbrojtur dhe palës përgjegjëse i ka shqiptuar masat mbrojtëse sipas nenit 5 dhe 6 të Ligjit për Mbrojtje nga dhuna në familje, në kohëzgjatje prej gjashtë muajve duke filluar nga data 13.09.2022 deri më datë 13.03.2023. Ky aktvendim i është dorëzuar palëve dhe atë palës përgjegjëse, mbrojtësit të tij, palës së mbrojtur, mbrojtësit të viktimave, QPS –Lipjan si dhe Stacioni Policor në Lipjan i cili është urdhëruar që ta bëjë zbatimin e vendimit të urdhrit mbrojtës,”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Teksa nga Prokuroria kishin deklaruar se kompetent për zbatimin e urdhrit është Policia e Kosovës.

“Ky urdhër i është dorëzuar Qendrës për Punë Sociale në Lipjan dhe Policisë së Kosovës – Stacionit Policor në Lipjan dhe në bazë të këtij vendimi, kompetent për zbatimin e urdhrit mbrojtës ka qenë Policia e Kosovës”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Edhe pas gati 20 orësh, Policia nuk kishte arritur ta lokalizonte vendndodhjen e 31-vjeçarit. Por vetura e tij me të cilën dyshohet se u largua nga vendi i ngjarjes, u gjet dje në rrugën ‘Ahmet Shtimja’.

Policia e Kosovës më pas shpalli në kërkim të dyshuarin, teksa kishin kërkuar edhe ndihmën e qytetarëve të vendit për ta kapur atë.

Halili pas gati dy ditësh të plota në arrati si i dyshuar për vrasjen makabre ndaj ish bashkëshortes së tij, Hamide Magashi, e cila ishte shtatzënë në javën e 41-të, sot ka kryer vetëvrasje.

Në momentin që organet e rendit kanë rrethuar shtëpinë e dorasit në fshatin Godanc të Shtimes, i njëjti ka kryer vetëvrasje duke refuzuar të bie në duart e Policisë.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, në një prononcim për Gazetën Sinjali ka bërë me dije se 31-vjeçari ka ndërruar jetë rrugës për në Emergjencë.

Lajmin për vetëvrasjen e 31-vjeçarit e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, i cili ka thënë se përkundër tentativës së zyrtarëve policor që të negociojnë dorëzimin, dorasi ka vrarë veten.

/GazetaSinjali/