Edhe sot është zhvilluar debat parlamentar për rrymën e shpenzuar nga serbët në katër komunat veriore, transmeton Gazeta Sinjali.
Dy propozim rekomandime sot ka paraqitur Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me pagimin e rrymës për serbët në katër komunat veriore.
Propozimi i deputetes Mimoza Kusari-Lila i cili mori mbështetjen e Komisionit me 6 vota për, ishte që KOSTT-i të marrë përgjegjësin për pagesën e rrymës edhe për gjashtë muajt e ardhshëm dhe të mos obligohet Qeveria për këtë.
Sipas saj, obligim i qeverisë mbetet që të zgjidhë këtë çështje për shtrimin e autoritetit në fushën e energjisë brenda 6 muajve në veri.
Ndërsa, kundër kësaj ishte kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala i cili theksoi se nuk duhet legalizuar kjo çështje për qytetarët serb në veri.
Propozimi i tij ishte që Qeveria tek e fundit të paguaj edhe gjashtë muaj, jo KOSTT.
“Nuk jam për me legalizuar për mbulimin e shpenzimeve në veri. Qeveria duhet të bëj zgjidhje, unë jam kundër pagesës, por meqë nuk keni zgjidhje, mos të rrezikohet anëtarësimi me ENTSO-E”, tha ai.
Deputeti Uran Ismajli ka qenë kategorik që të ndërpritet mbulimi i shpenzimeve të energjisë elektrike për katër komunat veriore.
“Në pandemi kur shumë biznese dhe qytetarë janë në hall të madh të mbijetesës, ndërsa këtij kërkohet që KOSTT me te hyrat e saj të paguaj rrymën në veri. Kjo nuk duhet toleruar, por duhet të bëj zgjidhje vet Qeveria”, theksoi ai, shkruan KP.
Deputeti Pal Lekaj tha se ngarkesa e KOSTT me 11 milionë euro është e pa tolerueshme.
Deputeti Lekaj tha se asnjë zgjidhje nuk do të mund të bëj Qeveria për 6 muaj.
Lekaj ngriti edhe rrezikun e shkeljes ligjore për këtë veprim. /Gazeta Sinjali/