image Votimi për aplikimin e Kosovës, Gërvalla në Strasburg: Serbia po bën propagandë të egër

Politikë

Votimi për aplikimin e Kosovës, Gërvalla në Strasburg: Serbia po bën propagandë të egër

news image

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se ministrja Donika Gërvalla po qëndron në Strasburg të Francës “për të zhvilluar takime dhe për të koordinuar veprimet e fundit me partnerët dhe aleatët të cilët po e mbështesin Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit në KiE.

Atje nesër do të zhvillohet diskutimi dhe votimi për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla, së bashku me zëvendësministrin, z. Kreshnik Ahmeti, po qëndrojnë në Strasburg të Francës, për të zhvilluar takime dhe për të koordinuar veprimet e fundit me partnerët dhe aleatët, të cilët po e mbështesin Republikën e Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare.

I konfirmuar nga raporte dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare si dhe raporti i Këshillit të Evropës, i cili vërteton plotësimin e kritereve për anëtarësim në KiE, i paraqitur nga raportuesja Bokoyannis, përparimi i Republikës së Kosovës në demokratizim, sundim të ligjit, respektim të të drejtave të komuniteteve joshumicë, lirinë e shprehjes, të mediave dhe lufta kundër korrupsionit, i hap dyert Kosovës për t’u anëtarësuar në organizatën më të rëndësishme ndërkombëtare në Evropë.”

Propaganda dhe fushata e Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës është jashtëzakonisht e egër dhe bie në kundërshtim të plotë me marrëveshjet e vitit të fundit mes Kosovës dhe Serbisë. Por shprehim bindjen tonë se shtetet anëtare të KiE-së vendimin e tyre do ta marrin jo bazuar në këtë propagandë, por bazuar në kriteret dhe parimet mbi të cilat është ndërtuar Këshilli i Evropës.

Ndryshe, nevojiten 2/3 e votave të Asamblesë për t’i rekomanduar Këshillit Ministror të KiE pranimin e Kosovës.

Pas këtij votimi, për anëtarësimin e plotë të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës do të mbetej vetëm edhe hapi i fundit, i cili do të ishte vendimi i Këshillit Ministror.

Mundësia e parë për marrjen e këtij vendimi do të ishte takimi më 16 maj të këtij viti.

/GazetaSinjali/