Procesi zgjedhor në komunat veriore të Zveçanit dhe Leposaviqit po zhvillohet pa incidente, ndërsa qytetarët po vazhdojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në një atmosferë të qetë dhe të rregullt.
Në qendrën e votimit të vendosur në shkollën “Vuk Karaxhiq” në Zveçan, procesi ka vijuar normalisht gjatë gjithë ditës. Sipas të dhënave nga terreni, deri në orët e pasdites kanë votuar 1.351 qytetarë, që përfaqësojnë 32.98 për qind të votuesve të regjistruar në këtë qendër.
Të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tregojnë se në nivel komunal në Zveçan kanë votuar gjithsej 2.408 qytetarë, ose 34.51 për qind e elektoratit.
Pjesëmarrje të ngjashme ka shënuar edhe komuna e Leposaviqit, ku deri më tani votën e tyre e kanë hedhur 4.549 qytetarë, që përbëjnë 35.90 për qind të votuesve me të drejtë vote.
Autoritetet zgjedhore kanë bërë të ditur se të gjitha qendrat e votimit janë hapur sipas orarit të paraparë dhe se procesi po zhvillohet në përputhje me ligjin dhe standardet zgjedhore, pa raportime për parregullsi apo probleme që mund të cenojnë mbarëvajtjen e votimit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!