Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vijuar numërimin e votave të ardhura me postë, proces që po sjell ndryshime në përbërjen e Kuvendit.
Sipas të dhënave të fundit, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar ulësen e 51-të, duke fituar një mandat shtesë në dëm të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila ka zbritur në 7 ulëse.
Deri më tani janë numëruar rreth 23 për qind e votave me postë, ku LVV prin bindshëm me 9,119 vota, e ndjekur nga LDK me 2,210 vota, PDK me 876 vota dhe AAK me 570 vota.
Si pasojë e këtij rezultati, nga radhët e AAK-së jashtë përbërjes së Kuvendit mbetet kandidati Bekë Berisha, i cili nuk ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme për mandat.
Procesi i numërimit të votave me postë pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim, çka mund të sjellë ndryshime të tjera në ndarjen përfundimtare të ulëseve.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!