Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në një konferencë për media pas takimit që ka pasur me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, ka folur për çështjen e liberalizimit të vizave. Von der Leyen ka thënë se Komisioni qëndron prapa qëndrimit se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim të vizave.
Ajo gjithashtu ka thënë se do të bëjë çmos për të bindur edhe Këshillin Evropian për të adresuar këtë çështje sa më shpejt dhe në mënyrë konstruktive.
“Sa përket vizave. Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme. E Kemi thënë edhe në 2018 e kemi përsëritur. Janë plotësuar të gjitha standardet. Jemi plotësisht në anën tuaj”, ka thënë Von der Leyen.
“Do të bëjmë përpjekje ta bindim të gjithë këshillin që kjo temë të adresohet shumë shpejt në mënyrë konstruktive”, ka shtuar ajo.
Ndërkohë për sistemin ETIAS ka thënë se është çështje e ndarë nga procesi i liberalizimit të vizave.
“ETIAS është i pavarur nga ky proces. Është proces shumë i rëndësishëm për BE-në. Ne do të kërkojmë përmes këtij instrumenti teknik që të gjithë që futen në BE të aplikojnë përmes këtij sistemi që do të jetë i pavarur nga kriteret e vizave.
Me këtë do të kemi transparencë në lëvizje. Do të vlejë për të gjitha vendet e BE-së”, ka thënë ajo.