Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO, Kurt Volker, ka vlerësuar se presidenti amerikan Donald Trump nuk pritet të krijojë tensione të mëdha në samitin e ardhshëm të NATO-s në Ankara, pavarësisht kritikave të vazhdueshme ndaj aleatëve evropianë.
Në një intervistë për Euronews, Volker tha se Trump është i njohur për reagimet e tij të ashpra ndaj çështjeve të ndryshme, por beson se këtë herë ai nuk do të dëshirojë ta vendosë në pozitë të vështirë presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan.
“Donald Trump është gjithmonë i zemëruar për diçka – qoftë për kontributin e Evropës, shpenzimet për mbrojtje apo Iranin. Megjithatë, ai ka marrëdhënie të mira me presidentin Erdoğan dhe nuk dëshiron t’ia prishë samitin”, deklaroi Volker, përcjell Sinjali.
Trump ka kritikuar ashpër muajt e fundit vendet anëtare të NATO-s, duke i akuzuar se nuk mbështetën SHBA-në dhe Izraelin gjatë konfliktit me Iranin. Ai ka pretenduar se disa aleatë nuk përmbushën detyrimet e tyre ndaj Uashingtonit në kuadër të aleancës.
Sipas raportimeve, Spanja dhe Italia refuzuan përdorimin e bazave të tyre ushtarake, ndërsa Franca nuk lejoi përdorimin e hapësirës së saj ajrore për fluturime që transportonin armë drejt Izraelit për përdorim në operacionet kundër Iranit.
Në muajin maj, Trump pati edhe një përplasje publike me kancelarin gjerman Friedrich Merz, pasi ky i fundit e kritikoi strategjinë amerikane në luftën kundër Iranit, duke e cilësuar atë si të “pamenduar mirë”. Pas kësaj, presidenti amerikan njoftoi tërheqjen e 5 mijë ushtarëve amerikanë nga Gjermania dhe i quajti partnerët evropianë “frikacakë”, ndërsa NATO-n e përshkroi si një “tigër prej letre”.
Megjithatë, aleatët evropianë kanë theksuar se nuk ishin konsultuar paraprakisht për operacionin ushtarak ndaj Iranit dhe se konflikti nuk lidhej me misionin mbrojtës të NATO-s.
Pak ditë para samitit, Trump deklaroi në rrjetin e tij social Truth Social se marrëdhënia e SHBA-së me NATO-n është “e njëanshme” dhe “jo reciproke”, duke shtuar se është “qesharake” që Uashingtoni vazhdon ta mbajë këtë qasje.
Ai konfirmoi gjithashtu se do të marrë pjesë në samitin në Turqi vetëm për respekt ndaj presidentit Erdoğan.
“Nëse samiti nuk do të mbahej në Turqi, nuk besoj se do të merrja pjesë. Po shkoj nga respekti për presidentin Erdoğan”, u tha Trump gazetarëve gjatë një takimi me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në Shtëpinë e Bardhë.
Nga ana tjetër, Volker i cilësoi si të ekzagjeruara pretendimet e administratës Trump se Evropa e braktisi SHBA-në gjatë konfliktit me Iranin.
“Së pari, askush nuk ishte informuar paraprakisht se SHBA-ja do ta sulmonte Iranin. Më pas u ankua se aleatët nuk iu bashkuan operacionit. Kjo është një ekzagjerim, sepse aleatëve nuk iu ishte kërkuar paraprakisht një mbështetje e tillë”, tha ai.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!