image Vogel i quan të "pasinqerta" deklaratat e Kurtit: I ka takuar gjithmonë Prishtinës t’i krijojë kushtet për Asociacionin

Politikë

Vogel i quan të “pasinqerta” deklaratat e Kurtit: I ka takuar gjithmonë Prishtinës t’i krijojë kushtet për Asociacionin

news image

Çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është ndër temat e pakta, për të cilën flitet gati çdo javë dhe që secilën herë bëhet lajm.

Të gjithë kanë qëndrime për të dhe e komentojnë. Për të janë arritur marrëveshje e janë përpiluar propozime. Por, zgjidhja përfundimtare nuk është arritur kurrë.

Asociacioni u riaktualizua më 29 tetor, kur shefi i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti, tha para mediave se, si kryeministër i një republike demokratike, nuk mund të formojë asociacione të komunave.

“Komunat asociohen me njëra-tjetrën, koordinohen, bashkëpunojnë. Ju tashmë e dini që ne e kemi një Asociacion të Komunave të Kosovës. Nëse dikush e dëshiron një asociacion tjetër, atëherë kjo duhet të vijë nga komunat… nëse kryeministri do të themelonte asociacion të komunave, ky do të ishte një imponim ndaj komunave”.

Toby Vogel nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit në Bruksel i tha Radios Evropa e Lirë se deklarata e kryeministrit të Kosovës është e pasinqertë.

Sipas tij, “i ka takuar gjithmonë Prishtinës t’i krijojë kushtet për formimin e Asociacionit, por gjithmonë sipas një konteksti të caktuar”.

“Kosova vazhdon të jenë nën masa të Bashkimit Evropian, derisa Serbia nuk është përballur me asnjë pasojë për Banjskën, apo për refuzim të Marrëveshjes së Ohrit. Pse, atëherë, Kurti do ta ndryshonte pozitën e tij në këtë situatë? Nuk ekziston ndonjë përfitim zgjedhor apo diplomatik për të, nëse pranon ta formojë Asociacionin”, u shpreh ai.

Kosova do t’i mbajë zgjedhjet e ardhshme parlamentare më 9 shkurt 2025.

Vogel paralajmëroi për presion të shtuar ndaj Qeverisë së radhës. Sipas tij, nëse Kurti i fiton zgjedhjet, “nuk do të mundet pafundësisht të paraqesë arsye të reja pse nuk mund të formohet Asociacioni”.

Ai tha se më e rrugës do të ishte nëse Kurti do t’ua sqaronte komuniteteve pse në situatën aktuale disa marrëveshje të dialogut kanë mbetur pezull, dhe që njëkohësisht Kosova t’ua bëjë të qartë partnerëve që edhe Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për veprimet e veta.

“Gjithë procesi duhet të zhbllokohet, jo vetëm ngërçi për Asociacionin”, theksoi ai.

Duke e parë situatën aktuale, Vogel vlerësoi se zor që mund të merret dikush me Asociacionin menjëherë pas zgjedhjeve.

/GazetaSinjali/