Dy persona janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin se në bashkëkryerje me një person tjetër kanë kryer vjedhje në një market në Albi Mall në Prishtinë, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Sipas burimeve të Sinjalit, rasti ishte raportuar më 26 qershor, rreth orës 19:30, në rrugën “Kadri Zeka”.
Ankuesi ka deklaruar se përmes kamerave të sigurisë janë vërejtur tre persona, një grua dhe dy burra, të cilët dyshohet se kanë vjedhur pije alkoolike dhe janë larguar nga marketi.
Burimet bëjnë të ditur se fillimisht ishte raportuar se ishin vjedhur tri shishe në vlerë prej 113 eurosh, ndërsa më pas është konstatuar se bëhej fjalë për katër shishe në vlerë prej 140 eurosh.
Më 27 qershor, rreth orës 20:30, sigurimi i Albi Mall ka njoftuar Policinë se kishte ndaluar dy nga personat e dyshuar.
Njësitet policore i kanë shoqëruar në stacion, ku pas verifikimit të kamerave dhe deklarimit të ankuesit, dyshohet se të njëjtit, bashkë me një person të tretë, kanë kryer vjedhjen.
Vlera e gjësendeve të vjedhura është kompensuar nga të dyshuarit pasi janë ndaluar nga sigurimi.
Dy të dyshuarit, Sh.S. dhe L.M., janë intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa personi i tretë nuk është hasur.
Me vendim të Prokurorit kujdestar, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë dhe janë dërguar në Qendrën e Mbajtjes në Lipjan.
Rasti është iniciuar si “Vjedhje në bashkëkryerje”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!