image Vlora Çitaku thyen heshtjen për "njohjen" nga Xhamajka - i reagon Haki Abazit

Kosovë

Vlora Çitaku thyen heshtjen për “njohjen” nga Xhamajka – i reagon Haki Abazit

news image

Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku i ka reaguar zëvendëskryeministrit Haki Abazi, në lidhje me deklaratën e tij se ambasada i shërben presidentit e jo Kosovës.

Çitaku përmes një shkrimi të publikuar në rrjetin social Facebook, ka thënë se është përmbajtur të mos deklarohet rreth “njohjes” nga Xhamajka sepse shumë palë të tjera janë të përfshira, shkruan Gazeta Sinjali.

“Jam përmbajtur nga deklarimi publik lidhur me kaosin e shkaktuar rreth njohjes nga Xhamjaka sepse shumë palë të tjera janë të përfshira. Palë që ndodhen jashtë Kosovës. Do të ishte jo diplomatike, jo korrekte, dhe anti-kombëtare që unë sot, për ta mbrojtur veten, të zbuloj emra dhe detaje. Çdo gjë do të sqarohet me kohë”, ka thënë ndër të tjera ajo.

Ajo gjithashtu ka reaguar në lidhje me deklaratën e Abazit se ambasada në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ka shërbyer më shumë presidentit Hashim Thaçi se sa interesit të Kosovës.

“Nuk do të lejojë që puna dhe mundi i kolegëve të mi të njolloset e të përbaltet. Është e frikshme kur institucionet baltosen për inate politike e personale. Jam shumë krenare me punën e kolegëve të mi dhe asnjëherë nuk do të dorëzohem para shantazhit publik. E kam thënë edhe më herët, të jem Ambasadore e Kosovës në Washington DC është nderi i jetës sime”, ka thënë Çitaku.

https://www.facebook.com/vlora.citaku.1/posts/10156657402927414

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi para dy ditësh përmes rrjetit social Twitter, tha se Xhamajka e ka njohur shtetin e Kosovës. Këtë gjë e ka demantuar dje, ministrja e punëve të Jashtme e Xhamajkës, Kamina J Smith gjithashtu përmes Twitterit.

Rreth këtij demantimi ka reaguar dje zyra e presidencës, e cila ka thënë se ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, e ka njoftuar zyrtarisht presidentin Thaçi. Sipas tyre për detaje të tjera duhet të kontaktohet Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës./Gazeta Sinjali/