image Vjosa Osmani flet nga QKUK-ja, ka një porosi për qeverinë

Shëndetësi

Shëndetësi/ Vjosa Osmani flet nga QKUK-ja, ka një porosi për qeverinë

news image

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, vizitoi Klinikën e Neonatologjisë në QKUK. Kryeparlamentarja tha se zgjodhi të vizitojë këtë vend të parin në detyrën e re, pasi nga kjo klinikë fillon jeta.

Osmani theksoi se shëndetësia duhet të jetë gjithnjë prioritet dhe se institucioni që drejton do të kujdeset t’ia kujtojë qeverisë që shëndeti i nënave dhe fëmijëve të jetë në radhë të parë.

“Sot kam ardhur në këtë vizitë timen të parë si kryetare e Kuvendit për një simbolik që të filloj aty ku fillon jeta dhe e dyta për të treguar se ndërtimi i prioriteteve dhe realizimi i tyre në aspektin e politikave shëndetësore i takojnë qeverisë, megjithatë ne si Kuvend i Republikës së Kosovës do të bëjmë të pamundurën që vazhdimisht t’ia kujtojmë qeverisë që shëndetësia duhet të jetë prioritet, pra jeta e fëmijëve në radhë të parë, shëndeti i nënave dhe fëmijëve janë parakusht që një shoqëri të ecë drejtë sukseseve. Në qoftë se nuk kemi politika të mirëfillta shëndetësore ne nuk presim që ky shtet të bëhet, ky shtet do të bëhet vetëm kur ne e vendosim prioritet jetën e foshnjave”, u shpreh Osmani.

Drejtori i SHSKUKS-së, Basri Sejdiu duke e falënderuar Osmanin, tha se vizitat institucionale i bëjnë të ndihen shumë mirë pasi institucionet luajnë rol të rëndësishëm në shëndetësi.

Sejdiu theksoi se kur institucionet i japin rëndësi shëndetësisë atëherë kjo fushë bëhet ashtu si të gjithë e dëshirojmë.

“E përshëndes kryetaren e porsazgjedhur zonjën Osmani, e cila për herë të parë viziton Klinikën e Neonatologjisë, klinikë me rëndësi të madhe për arsye se vërtet fëmijët janë një kategori që dëshirojnë përkushtim më të madh dhe vërtet vizitat institucionale neve na bën të ndjehemi mirë sepse kur janë sytë e institucioneve të kthyer nga shëndetësia atëherë vërtet presim një shëndetësi që e dëshirojmë të gjithë”, u shpreh Sejdiu. /Gazeta Sinjali/