image Vjet në nëntor për import të energjisë u paguan 2.3 milionë euro, sivjet 10 milionë

Kosovë

Vjet në nëntor për import të energjisë u paguan 2.3 milionë euro, sivjet 10 milionë

news image

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka bërë të ditur se kostoja e energjisë elektrike është rritur për shkak të rritjes së çmimeve të saj në tregun ndërkombëtar përtej çdo parashikimi. Sipas tij ato kanë prekur edhe vendet më të zhvilluara të Evropës.

“Ballafaqimi me çmimet e larta të importit të energjisë elektrike duhet të bëjë që secili nga ne të reflektojmë përballë kësaj krize. E gjithë kjo në mënyrë që efekti negativ i tyre të ndihet sa më pak tek në të ardhmen”, ka njoftuar Buzhala.

Ai ka thënë se thirrjet për kursim po bëhen me qëllim që t’u lehtësohet kostoja konsumatorëve në faturat mujore.

“Thirrjet tona për kursim po bëhen me qëllim që t’u lehtësohet barra financiare konsumatorëve tanë në faturat mujore në këtë periudhë, por edhe në të ardhmen. Në anën tjetër, tani që sfida e sigurimit të importit me çmime të larta po bëhet edhe më e madhe për KEDS-in dhe KESCO-n, thirrja për kursim dhe përkrahja e konsumatorëve së bashku me mbështetjen e institucioneve është e domosdoshme”, ka shtuar ai.

Ai tregoi se çmimi i importit është rritur në mënyrë marramendëse, pasi në nëntorin e vitit të kaluar janë paguar 2.3 milionë euro ndërkaq sivjet për të njëjtin muaj janë paguar 10 milionë.

Sipas tij, rritja e shpejtë e çmimeve të importit në këtë nivel ishte e paparashikueshme nga të gjithë politik-bërësit, dhe ai tregon se ka ardhur si pasojë e shumë faktorëve, kontrolli i të cilëve është jashtë vullnetit dhe ndikimit të tyre.

“Dihet se për plotësimin e kërkesës për energji elektrike, importi i energjisë elektrike në orë të caktuara ka qenë gjithmonë i pashmangshëm, por në krahasim me vitin e kaluar, kur çmimi i importit të energjisë elektrike për muajin nëntor ka qenë 2.3 milionë €, këtë vit kjo shumë ka shënuar rritje deri në 10 milionë euro”, ka vazhduar Buzhala.

“Me rënien e temperaturave nën zero, kërkesa do të jetë edhe më e madhe për import të energjisë. Nëse e shohim edhe nga ana tjetër, trendet e çmimeve sidomos në kohë të pikut, janë duke u rritur. Prandaj, që sistemi të jetë në gjendje të përballojë ngarkesat nga faktorë të shumtë, qofshin ato për shkak të çmimeve të papërballueshme, ose nga konsumi i lartë i energjisë elektrike, kërkohet vëmendja dhe bashkëpunimi i të gjithëve”, ka përfunduar ai./GazetaSinjali/