Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje. Kështu e ka pësuar një familje në fshatin Obrançë të Podujevës, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se persona të panjohur kanë hyrë me forcë brenda shtëpisë së familjes Kastrati, ku kanë arritur që të vjedhin para të gatshme dhe stoli të arit.
Bazuar në dëshminë e pronarit të shtëpisë, që e ka denoncuar rastin në Polici, hajnat kanë vjedhur rreth 4 mijë euro ‘cash’, si dhe ari në vlerë të hiç më pak se rreth 40 mijë eurove.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.