image Vjedhje e rëndë në ‘Aztech’ në Prizren, i riu merr dy telefona në vlerë të mbi 2 mijë eurove

Siguri

Vjedhje e rëndë në ‘Aztech’ në Prizren, i riu merr dy telefona në vlerë të mbi 2 mijë eurove

news image

Grabitjet e vjedhjet në biznese të ndryshme në Kosovë po ndodhin shumë shpesh, duke shkaktuar humbje dhe pasiguri. Një rast i tillë ka ndodhur edhe në dyqanin e pajisjeve elektroshtëpiake në Prizren, ‘Aztech’, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se menaxheri i pikës së ‘Aztech’, ka denoncuar rastin në Polici pasi një person ka marrë nga dyqani dy telefona celularë të cilët kapin vlerën e mbi 2 mijë eurove.

I dyshuari fillimisht ishte i panjohur, por pas punës hetimore të Policisë së Kosovës i njëjti është identifikuar dhe më pas është arrestuar.

Gjatë intervistimit në stacion policor, 32-vjeçari (emër i njohur për redaksinë), ka deklaruar para hetuesve se ka kryer veprën për të cilën dyshohet. Ai e ka pranuar se njërin nga telefonat e vjedhur e ka shitur në Prishtinë, mirëpo i njëjti celular është dorëzuar në Polici nga nëna e të dyshuarit gjatë kohës që po intervistohej.

Sinjali mëson se ky person dyshohet se ka kryer vjedhje edhe në dyqanin tjetër me pajisje elektroshtëpiake ‘Neptun’, ndërsa mjetet e vjedhura janë kthyer në pronësi të dyqanit.

Me urdhër të prokurorit, ndaj 32-vjeçarit është iniciuar rasti për dy vepra ‘Vjedhje’ dhe ‘Vjedhje e rëndë’ dhe i njëjti është ndaluar për 48 orë.

/GazetaSinjali/