Gazeta Sinjali të shtunën raportoi se në Aeroportin e Prishtinës janë vjedhur pajisje mekanike të radarëve civilë në vlerë të 63 mijë e 500 euro.
Sipas burimeve të gazetës, rasti ka ndodhur më 27 janar, ndërkaq është raportuar në Polici të Kosovës dje nga Njësitet doganore.
Lidhur me këtë, Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë. Përmes një komunikate për media, policia thotë se më datë 30.12.2020, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, nga një shtet evropian, ka ardhur një dërgesë për një kompani private.
Sipas policisë, kjo dërgesë e adresuar në Kosovë, ka rezultuar të jetë dërguar gabim, andaj bazuar në procedurat e parapara e njëjta ka mbetur e deponuar në CARGO.
Tutje, në komunikatë thuhet se më 29.01.2021, policia është ftuar nga njësitet e doganës, për të hetuar rrethanat e mos pranisë së dërgesës, e cila përmbante pajisje mekanike të radarëve civil, të cilat kanë qenë të paketuara e të cilat nuk gjendeshin në depo.
Siç është bërë e ditur, policia në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe në koordinim me prokurorin, kanë iniciuar rastin ‘vjedhje e rëndë’ të cilin janë duke e trajtuar dhe hetuar sipas kompetencave ligjore.
Njoftimi i plotë:
Njoftim shtesë rreth rastit ‘vjedhje e rëndë” e raportuar në aeroportin e Prishtinës
Prishtinë, më 30 janar 2021
Ashtu siç është raportuar sot përmes raportit 24 orësh, Policia e Kosovës, më 29.01.2021, nga njësitet e doganës është lajmëruar për një rast i cilësuar ‘vjedhje e rëndë’.
Me qëllim të njoftimit në mënyrë të drejtë të opinionit japim sqarimet shtesë lidhur me rastin: Më 30.12.2020, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, nga një shtet evropian, ka ardhur një dërgesë për një kompani private.
Kjo dërgesë e adresuar në Kosovë, ka rezultuar të jetë dërguar gabim, andaj bazuar në procedurat e parapara e njëjta ka mbetur e deponuar në CARGO.
Ndërsa tani, më 29.01.2021, policia është ftuar nga njësitet e doganës, për të hetuar rrethanat e mos pranisë së dërgesës, e cila përmbante pajisje mekanike të radarëve civil, të cilat kanë qenë të paketuara e të cilat nuk gjendeshin në depo.
Policia në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe në koordinim me prokurorin, kanë iniciuar rastin ‘vjedhje e rëndë’ të cilin janë duke e trajtuar dhe hetuar sipas kompetencave ligjore.
Policia e Kosovës të gjitha veprimet hetimore do t’i ndërmerr në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, me qëllim të zbardhjes së rastit./Gazeta Sinjali/