image Vjedhja e mbi dy milionë eurove nga Thesari/ Këto janë veprat për të cilat akuzohen Gruda e Shala

Drejtësi

Vjedhja e mbi dy milionë eurove nga Thesari/ Këto janë veprat për të cilat akuzohen Gruda e Shala

news image

Pas pothuajse një viti Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj dy të dyshuarve për vjedhjen e dy milionë eurove në Thesar. Aktakuza është ngritur ndaj Labinot Grudës dhe Kadri Shalës.

Cilat vepra akuzohen se kanë kryer Gruda e Shala?

Specialja ka njoftuar se Gruda akuzohet për katër vepra penale. Ish-zyrtari i Thesarit akuzohet për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Hyrja në sistemet kompjuterike”, “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes” dhe “Shpëlarje e parasë”.

“I pandehuri L.G., akuzohet për veprat penale ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 i KPRK-së, ‘’Hyrja në sistemet kompjuterike’’ nga neni 327  të KPRK – së,  ‘’Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes’’ nga neni 336  të KPRK- së, si dhe ‘’Shpëlarje e parasë’’ nga neni 308 të KPRK-së, lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e shpëlarjes së parasë dhe financimin e terrorizmit, në bashkëkryerje me të pandehurin K.SH”, shkruhet në njoftim.

Kurse, Kadri Shala akuzohet për tri vepra penale: “‘Shpëlarje e parasë’’, “Ndihma” dhe “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.

“…ndaj të pandehurit me inicialet K.SH., është ngritur aktakuza për shkak të veprave penale ‘’Shpëlarje e parasë’’ nga neni 308 të KPRK-së, lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes se Parasë dhe Financimin e Terrorizmit,  në bashkëveprim me të pandehurin L.G, dhe  për veprën penale ‘’Ndihma’’ nga neni 33 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, në ndërlidhje me veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 të KPRK-së”, shkruhet tutje në njoftimin e Speciales.

Çka kërkoi prokuroria për rastin e Grudës dhe Shalës?

Për këtë rast, Prokuroria ka kërkuar konfiskimin e katër veturave të cilat janë rrjedhojë e këtij aktiviteti kriminal, shumën e të hollave të cilat janë ngrirë me urdhër të gjykatës, si dhe nga ana e të pandehurve të bëhet kompensimi i humbjes apo dëmit të shkaktuar Buxhetit të Republikës së Kosovës, deri në përmbushjen e vlerës së dëmit të shkaktuar si rezultat i veprave penale, ose në të kundërtën, gjykata lidhur me këtë të konfiskojë çdo pasuri të të pandehurve deri në kompensimin e plotë të dëmit të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës.

Kurse, Gruda e Shala akuzohen se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro.

/Gazeta Sinjali/