image Vizita e Vuçiqit në Moskë, Picula: Ndodhi në kohën më të papërshtatshme

Rajon

Vizita e Vuçiqit në Moskë, Picula: Ndodhi në kohën më të papërshtatshme

news image

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Ballkanin Perëndimor dhe Serbinë, Tonino Picula, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në rajon, përfshirë edhe vizitën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Moskë.

Picula ka deklaruar se kjo vizitë ndodhi në një moment kur nuk duhej të kishte ndodhur, duke shtuar se Serbia nuk është ndër vendet që po përparojnë drejt Bashkimit Evropian.

“Shkuarja e Vuçiqit në Moskë nuk është një ngjarje dytësore, ndodhi në një kohë kur nuk duhej të kishte ndodhur, kur politika e zgjerimit ka kuptim për disa vende dhe ato po përparojnë, por për fat të keq, Serbia nuk është midis tyre”, u shpreh ai.

Duke komentuar vizitën e presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, në Beograd, Picula vlerësoi faktin që ai e nisi turneun rajonal pikërisht aty, duke theksuar se “ka shumë tema që duhen diskutuar”.

Sipas tij, parada në Moskë nuk ishte vetëm përkujtimore ndaj fitores kundër fashizmit, por shërbeu për të treguar mbështetjen që presidenti rus, Vladimir Putin, ende gëzon nga disa liderë botërorë.

Ai përfundoi duke theksuar se ekspozimi i Vuçiqit ndaj kritikave nga Brukseli është “më se i qartë”.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/