Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i është kundërpërgjigjur ish-ministrit, njëherit deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, për kritikat e këtij të fundit për mënyrën se si kjo ministri është duke e menaxhuar pandeminë, raporton Gazeta Sinjali.
Vitia tha se dëmi që Zemaj ia ka bërë shëndetësisë është sikur të kishte udhëhequr për 10 vjet, e jo për disa muaj.
Madje, Vitia e akuzoi Zemajn se ka ndërtuar Qendër të Mjekësisë Familjare në vendin e lindjes, në fshatin Strellc të Deçanit.
“Çka ju dashtë një QKMF në Strellc, a duhet ta bëjë edhe unë një në Marec”, i tha ministri deputetit të LDK-së.
Vitia po ashtu e akuzoi Zemajn se ka blerë autoambulanca mbi 20 për qind më shtrenjtë se çmimi real i tyre, por për këtë reagoi Zemaj, i cili tha se ato katër autoambulanca janë blerë gjatë mandatit të Vitisë./Gazeta Sinjali/